Dikur ishin kampionë Evrope dhe diktonin frymën e futbollit të kohës me filozofinë e të të ashtuquajturit futboll total. Por ja që tani kohët janë aq të vështira për futbollin holandez saqë jo vetëm nuk arrijnë të kualifikohen në evropian apo botëror, por në mënyrë që të sigurojnë një biletë për në UEFA Champions League atyre u duhet të masin forcat me futbollin e lindjes. PSV-ja e Van Bommel vuajti shumë të martën për t’i marrë bjellorusëve të Bate Borisov një fitore 3-2. Fitore e arritur vetëm në minutën e fundit të kohës së rregullt. Sot është rradha e Ajaxit të Erik ten Hag për të provuar të njëjtën gjë në një transfertë të lindjes.
Ndryshe nga Eindhoveni, 3 herë kampionët e Evropës kanë një rival edhe më të vështirë, Dinamon e Kievit. Në radhët e skuadrës së tij, ten Hag ka lojtarë si Daley Blind, Donny van de Beek, apo dhe Mathijs de Ligt të cilët janë kryesorë edhe për kombëtaren. Por fiks e njëjta gjendje zhgënjyese sikurse ajo e tulipanëve, mbizotëron edhe te Ajaxi. Titulli kampion atyre u mungon që prej vitit 2014 ndërsa në Champions mungojnë që prej atij sezoni përvijues 2014-2015. Përballë do të kenë një skuadër të etur për sukses. Aleksandr Khatskevich i ka drejtuar ukrainasit drejt trofeut të parë sezonal. Ata mundën Shakhtarin në Super-Kupë ndërsa nuk humbasin një ndeshje që prej 9 majit. Kështu, rruga e futbollit holandez për në Evropë vazhdon të mbetet e vështirë dhe me pengesa, kjo e radhës vjen nga lindja.