Një lajm i bujshëm vjen nga Anglia. Manchester United është i hapur të dëgjojë ofertat për Casemiron. Mesfushori, i transferuar me shumë bujë në Old Trafford përgjatë verës së 2022-shit për rreth 80 milionë euro, mund të rezultojë që aventura në Teatrin e Ëndrrave të zgjasë shumë pak.
Mediat në ishull bëjnë me dije se ish-lojtari i Real Madrid, ka rënë nën radarët e klubeve saudite të futbollit dhe shumë shpejt nga Lindja e Mesme priten oferta. Sipas raportimeve, thuhet se Casemiro ka mbetur i zhgënjyer nga situata që po kalon klubi i United. Ndonëse në sezonin që lamë pas u dhanë disa shenja ringritjeje, edicioni actual po rezulton një errësirë e vërtetë për 20 herë kampionët e Anglisë, të cilët, edhe pse nuk i kanë luajtur ende 20 ndeshje në të gjitha garat, kanë pësuar 9 humbje, e kësisoj, deri më tani kanë mbetur jashtë garës për titullin kampion, ndërsa në Champions League rrezikojnë të eliminohen që në fazën e grupeve.
Në rrethana si këto, Casemiro është lëkundur, duke mos pasur shumë besim tek trajneri Erik ten Hag dhe si pasojë, lojtari ka nisur të mendojë se largimi do të ishte zgjidhja më e mirë.
Prej disa javësh, Casemiro vuan nga një problem muskulor dhe nuk ka mundur të jetë në dispozicion të trajnerit Ten Hag. Madje, braziliani do të mungojë deri në fund të këtij viti, pasi atëherë është parashikuar edhe koha e rikthimit të tij në fushën e lojës.
Sakaq, gjithmonë sipas informacioneve, ofertat në drejtim të Casemiros pritet të viijnë që në merkaton e Janarit dhe nëse një gjë e tillë ndodh, mbetet për t’u parë mënyra sesi do të menaxhohen nga Manchester United.