Heronjtë zbarkojnë në shtëpi. Argjentina rikthehet në atdhe me titullin e Kupës së Botës. Momente historike, madhështore. Në orët e para të mëngjesit, përfaqësuesja bardhekaltër ka zbritur në Buenos Aiers, aty ku skuadrës i është bërë një pritje e pabesueshme.
Pasi kanë zbritur nga avioni, të udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi, lojtarët kanë kanë hipur në një autobus të hapur, teksa përshëndeteshin nga tifozë të panumërt në sheshin e madh të kryeqytetit Buenos Aiers.
Natën e finales, aty u grumbulluan më tepër se një million tifozë, ndërsa tashmë që heronjtë janë rikthyer me trofeun e Kupës së Botës, pjesëmarrja pritet të jetë edhe më e lartë se kaq. Si pasojë e kësaj dite të shënuar, autoritet argjentinase kanë vendosur që e marta të shpallet festë kombëtare.
Tre herë kampionët e botës do vazhdojnë të festojnë me tifozët e tyre, ndërsa po ashtu do priten edhe nga autoritetet argjentinase për t’u vlerësuar për këtë arritje historike. Një Kupë Bote në Argjentinë mungonte që prej vitit të largët 1986-të, e kësisoj festa pritet të vazhdojë për orë të tëra dhe të shpërndahet në çdo kënd të vendit.
Sakaq, teksa në Argjentinë fitozët kanë mbushur sheshet për të pritur heronjtë e tyre triumfues në Katar, diçka e tillë ka ndodhur edhe në Francë. Sigurisht, që numri i tifozëve në pritje të nëkampionëve të botës ishte më i ulët, por pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme.
Pavarësisht se nuk mundën të triumfonin në Katar, tifozët e konsiderojnë madhështore paraqitjen e përfaqësueses së tyre në Botëror dhe për këtë arsye ndihen jashtëzakonisht krenarë dhe mirënjohës.