U ndëshkua me karton të kuq, konfirmohet dënimi për trajnerin Jose Mourinho

Sport

Jose Mourinho është pezulluar me dy ndeshje nga Gjykimi Sportiv i Futbollit Italian. Në ndeshjen ndaj Torinos në Olimpico, e vleshme për javën e 15-të të Serie A, portugezi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 44 të pjesës së dytë, si pasojë e protestave ndaj kryesorit Antonio Rapuano. Trajneri u fut në fushë dhe kundërshtoi hapur vendimin e arbitrit të ndeshjes, e madje duke përdorur një gjuhë fyese ndaj këtij të fundit.

Për këtë arsye, disiplina ka vendosur që ta përjashtojë Mourinhon me dy ndeshje nga aktiviteti, e si pasojë, 59 vjeçari do mungojë në stolin e Romës pikërisht në ndeshjet ndaj Bolognas dhe Milanit, me takimet që do të luhen në datat 4 dhe 8 janar.

Megjithatë, Mourinho është takuar ma arbitrin Rapuano pas ndeshjes, duke i kërkuar falje këtij të fundit për atë çka ndodhi në fushën e lojës. Sidoqoftë, një veprim i tillë, nuk ia ka ndryshuar Mourinhos mendimin se arbitrimi në ndeshjen ndaj Torinos lindte për të dëshiruar.

Deri në këtë fazë të kampionatit, kur në Serie A janë luajtur 15 javë, Roma renditet në vendin e 7-të të klasifikimit në kuotën e 27 pikëve, por aq sa Atalanta e vendit të 6-të. Verdhekuqtë nuk kanë marrë asnjë fitore në 3 takimet e fundit, teksa regjistrojnë një humbje dhe 2 barazime.

Në 4 janar të 2023-shit, Roma do kërkojë të rikthehet tek fitorja, teksa në Olimpico pret skuadrën e Bolognas, përpara se të vizitojë Milanin në San Siro 4 ditë më vonë. Në asnjë prej këtyre sfidave, Mourinho nuk do ketë mundësi që ta drejtojë skuadrën nga pankina, por si pasojë e dënimit, është i detyruar të qëndrojë në tribunë.