U largua nga Real Madrid, ja klubet që interesohen për mesfushorin Isco

Sport

Pasi deklaroi largimin nga Real Madrid, e ardhmja e Francisco Román Alarcón Suárez, ose sikurse njihet ndryshe si Isco, mbetet ende e pavendosur. Për mesfushorin interesohen disa klube të ndryshme, si në Spanjë, po ashtu edhe jashtë saj. Një mundësi është që 30 vjeçari që vazhdojë të luajë në La Liga.

Sevilla dhe Betis interesohen për të. Dy klubet andaluziane, rivale historike të njëra-tjetrës, duan të sigurojnë shërbimet e futbollistit në fjalë. Në radhët e Sevillas, Isco mund të bashkohet me trajnerin Julen Lopetegui, me të cilin ka punuar disa sezone më parë tek Real Madrid, e po ashtu edhe në përfaqësuesen spanjolle.

Në krahun tjetër, në radhët e Besitit, e pret Manuel Pellegrini, nën urdhërat e të cilit Isco shkëlqeu në skuadrën e Malagas, ambient i cili shërbeu si trampolinë, duke e dërguar më pas lojtarin në Santiago Bernabeu.

Më tej, oferta ka edhe nga Anglia, e konkretisht është skuadra e Neëcastle United. Klubi nga St James’ Park, mund të tundojë Iscon me ndonjë ofertë të majme, mirëpo deri më tani nuk bëhet asgjë e ditur.

Një tjetër mundësi ku Isco të luajë vitet e ardhshme të karrierës së tij është edhe Roma. Më saktë, është trajneri Jose Mourinho ai që kërkon ta ketë spanjollin pjesë të organikës së tij. Mundësia është shumë e madhe që futbollisti në fjalë të transferohet në Olimpico dhe emëruesi i përbashkët i gjithë kësaj çështjeje quhet Jorge Mendes. Personazhi në fjalë është njëkohësisht agjenti i Iscos dhe I trajnerit Mourinho. Klubi verdhekuq mund të përfitojë nga ky fakt dhe të shpresojë se gjatë kësaj vere, Isco mund të zbarkojë në Romë.

Vetë futbollisti është duke i shqyrtuar të gjithë mundësitë që ka në tryezë, por kërkon të mos nxitiohet, sepse synon që të bëjë zgjedhjen e duhur. Objektivi I Iscos është që të luajë në një skuadër, ku minutat t’I ketë të garantuara.