Në Kupën e Botës nuk do jetë pjesëmarrës një prej mesfushorëve më të mirë të viteve të fundit. Fjala është për N’golo Kante. Lojtari i Chelsea pësoi një dëmtim në derbim e Londrës ndaj Tottenham, që përfundoi me shifrat 2-2. Ndonëse ajo ndeshje është zhvilluar në muajin gusht, tërheqja muskulore e pësuar, ka rezultuar më e rëndë nga ajo çka pritej fillimisht.
Rikuperimi nuk po shkonte sipas planit, dhe si pasojë, është dashur që Kante të kryente ndërhyrje kirurgjikale. Mirëpo kjo do të thotë që mesfushori tashmë do mungojë për një periudhë 4 mujore. Ai pritet të rikthehet në fushën e blertë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Përveç Chelsea, ky është një shqetësim serioz edhe për Francën. Kampionët në fuqi të Botës do udhëtojnë drejt Katarit pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës së tyre. Kante ishte një pikë referuese e Didier Deschamps në mesfushë, ndërsa tashmë numri një i pankinës së gjelave duhet të hartojë një tjetër strategji.
Në një situatë të tillë, me dhimbje koke tashmë duhet të jetë edhe Graham Potter. Ashtu sikurse Deschamps, edhe numri një i stoli të Chelsea duhet t’i bëjë llogaritë pa 31 vjeçarin. Si pasojë, nuk përjashtohet mundësia që Chelsea të ndërhyjë në merkaton e janarit për përforcuar repartin e mesfushës.