Sporting Lisbon mund të bëjë një shitje të bujshme në merkaton e verës. Fjala është për sulmuesin Viktor Gyokeres, i cili për gjatë këtij edicioni, ka luajtur një rol thelbësor në rrugëtimin e Sportingut drejt titullit të 20 kampion.
Në verën e kaluar, klubi nga Lisbona i siguroi shërbimet e tij për vetëm 21 mln euro nga klubi i Championship në Angli, Coventry, një transferim që për shumëkënd u duk i çuditshëm.
Megjithatë, brenda një kohe mjaft të shkurtër, Gyokeres u kthye menjëherë në një sulmues të papërmbajtshëm në kampionatin portugez, aqsa me dy javë nga fundi, ai ka shënuar 27 gola dhe ndodhet në krye të radhës, si lojtari me më tepër finalizime.
Si pasojë e bëmave me Sportingun, 25 vjeçari ka tërhequr vëmendjen e klubeve me peshë të Europës, duke nisur nga Anglia, e deri në Itali. Më konkretisht në Serie A, është Milani që dëshiron të ketë shërbimet e sulmuesit në fjalë. Kuqezinjtë janë vënë në kërkim të pasuesit të Olivier Giroud, i cili do të largohet në fund të sezonit.
Megjithatë, problemi në këtë mes për klubin kuqezi, qëndron në aspektin financiar. Gyokeres ka një kontratë me Sportingun, të vlefshme deri në verën e 2028-tës, ndërsa në brendësi të marrëveshjes është nënshkruar një klauzolë largimi, që prej shifrën e 100 milionë eurove. Një shumë e tillë për Milanin konsiderohet gati-gati e pamundur të përballohet.
Vlera aktuale në merkato e Gyokeres cilësohet 55 milionë euro, ndërsa një vit më parë në këtë kohë, cilesohej afërsisht 10 milionë euro. Kaq mjafton për të kuptuar hapin galopant që ka bërë suedezi në aspektin personal vetëm brenda hapit kohor të një viti.
Duke marrë në konsideratë kërkesat e shumta që kanë shkuar drejt Sportingut për sulmuesin Gyokeres, duket shumë e vështirë që suedezi të mbetet pjesë e skuadrës edhe për sezonin që vjen. Thënë këtë, në rast të një shitjeje të futbollistit në merkaton e kësaj vere, parashikohet që klubi portugez të përfitojë miliona të shumëfishta në krahasim me ato që shpenzojë për të blerë sulmuesin shtatlart.