U afrua me bujë, De Ketelaere nuk është më në planet e Milanit

Sport

Charles de Ketelaere nuk ka më vend në skuadrën e Milanit. Sipas mediave italiane, belgu ka përfunduar në shitje. Duke marrë parasysh afrimin e Christian Pulisiç, apo edhe përforcimeve të tjera që mund të ndodhin përgjatë këtij afati kalimtar, atëherë hapësira për De Keteleare bëhet thuajse e pamundur.

I afruar me shumë bujë një sezon më parë, aqsa eklipsoi të gjithë merkaton e Milanit, në “San Siro”, fantazisti nuk ka dhënë aspak atë që pritej. Pjesëmarrës në 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe titullar në vetëm 13 prej tyre, mesfushori me tipare sulmuese, mundi të kontribonte vetëm me një assist, ndërsa nuk e gjeti dot asnjëherë rrugën e rrjetës.

Me fjalë të tjera, 35 milionë euro të çuara dëm nga Milani, shpenzime këto të derdhura në arkën e Club Brugge. Në këtë mënyrë, 19 herë kampionët e Italisë, kërkojnë të rikuperojnë humbjet. Për momentin, ofertë konkrete për 22 vjeçarin nuk ka, por bordi kuqezi shpreson shumë që një e tillë të vijë nga Anglia.

Mendohet se Aston Villa është klubi që së shpejti mund të trokasë me një ofertë 25 milionë euroshe në dyert e Milanit, që për ta lënë të lirë lojtarin, kërkon të paktën 28 milionë euro. Sidoqoftë, në lidhje me këtë çështje, 7 herë kampionët e Europës janë ende në pritje, teksa janë gjithashtu të përqendruar edhe për përforcimin e skuadrës.