Turqia niset me superioritetin e pozicionit kryesues në grupin elememinator të Euro 2020, pa harruar as atë sukses 2-0 të arritur në Shkodër përballë përfaqësueses shqiptare në muajin mars. Sidoqoftë, trajneri turk Senol Gunes të paktën me fjalë u druhet kuqezinjve, para ndeshjen që do të zhvillohet të premten në Stamboll . “Na presim dy ndeshjet ë rëndësishme për Evropianin ndaj Shqipërisë dhe Francës. Përballemi me dy ekipe të ndryshme, por objektivi mbetet i njëjtë, të fitojmë. Franca është favorite e grupit dhe luajmë për vendin e parë në grup me ta. Prandaj, prioriteti ynë do të jetë Shqipëria. Mund të them se kjo është ndeshja më e rëndësishme në 4 takimet e mbetura. Sa më pak zvogëlohet numri i ndeshjeve, aq më shumë rritet rëndësia e tyre. Nëse e fitojmë këtë sfidë, atëherë do të luajmë finalen me Francën. Mos dashtë Zoti të gabojmë, atëherë do të rivlerësojmë situatën për dy ndeshjet e fundit”, është shprehur Gunes.
Trajneri i përfaqësueses turke ka pranuar se Shqipëria mbetet një kundërshtar shumë i rrezikshëm. “Me Francën është e rëndësishme, por edhe kjo me Shqipërinë është më shumë. Pasi mundën Islandën, ata do të hyjnë në fushën e lojës me qëllimin për të na mundur. Nëse keni një mendim negativ për Shqipërinë, duhet ta harroni… Bëhet fjalë për një skuadër me lojtarë të mirë dhe shumë prej tyre luajnë në kampionatin italian. Për më tepër, edhe trajneri i tyre është i njohur në Itali dhe zotëron eksperiencë. Janë një ekip rezistent dhe luftarak. Kthehen në mënyrë të suksesshme nga mbrojtja me tre te ajo me pesë. E madje luajnë kompaktë edhe në fazën sulmuese. Ne duhet të jemi një ekip agresiv duke vrapuar po aq shumë sa ata. Shqipëria përpiqet të luajë topin dhe nuk mendon të qendrojë totalisht në mbrojtje, si Moldavia apo Andorra. Por natyrisht që ka edhe dobësi, që ne duhet t’i shfrytëzojmë”, përfundoi Gunes. Takimi mes Turqisë dhe Shqipërisë do të luhet të premten e 11 tetorit në orën 20:45. Përballja është e vlefshme për grupin H kualifikues të Euro 2020. Aktualisht, dy kombëtaret mbajnë respektivisht vendin e parë dhe të katërt në renditje, me një diferencë prej gjashtë pikësh nga njëra-tjetra.