Derbi midis Vedat Muriqit dhe Donis Avidaj, që ofronte këtë fundjavë kampionati turk nuk ka pasur fitues. Ndeshja e shumëpritur e javës së tretë Fenerbahce Tranbzonspor u mbyll në barazim 1-1, por për herë të parë regjistroi edhe pamundësinë e bomberit kosovar të Fenerbahces për të shënuar në portën kundërshtare. Përkundrazi, nga ana tjetër u bë protagonist kosovari i Trabzonsporit, i cili dhuroi asistin që u shndërrua në golin e barazimit nga Kaleb Ecuban, i njohur edhe në futbollin shqiptar prej përvojës që pati me Partizanin.
Muriqit iu shfaqën disa mundësi, por ndryshe nga ndeshjet e mëparshme, nuk u pati saktësinë e duhur. Kurse nga ana tjetër Avidaj, i aktivizuar si zëvendësues në fillimin e pjesës së dytë, diti të dialogojë mirë me shokët e skuadrës dhe veçanërisht me Ekubanin, duke ia dalë të prodhojë edhe golin që i vlejti një pikë miqëve në një fushë të vështirë si ajo e Fenerbahces pretendte. Pas këtij barazimi, skuadra e Muriqit, humbi edhe vendin e parë të renditjes, aty ku është ngjitur Alaniaspori, i vetmi ekip me pikë të plotë pas 3 javësh në kampionatin turk. Ndërkohë që sulmuesi kosovar mbetet në kuotën e 2 gola pas 3 ndeshjeve të luajtura, duke qenë gjithsesi një ndër shënuesit me mestaren më të lartë të realizimit në këto ndeshje të para në Superligën turke. Kurse për Trabzonsporin erdhi barazimi i dytë në 3 javë, ku ka regjistruar edhe 1 fitore, duke i dhënë mundësinë të gjendet aktualisht në pozicionin e 5-të me po aq pikë.