Minsku është kujdesur që çdo gjë të jetë në vendin e saj sa i përket ‘Lojrave Olimpike Europiane’ dhe një nga gjërat me të cilat organizatorët kanë punuar më shumë është argëtimi i tifozëve. Së fundmi është konfirmuar se krahas garimeve në sportet e ndryshme të planifikuara në kalendarin e eventeve, do të ketë paralelisht edhe një turne të lojrave elektronike. Kjo gjë është zyrtarizuar nga vetë organizatorët, që thonë se duke parë rritjen e shpejtë të tifozëve të lojrave elektronike, do të ketë edhe një event të tillë. Fituesi i eventit në fund të turneut do të shpërblehet me 2 mijë dollarë, ndërsa shpërblime do të ketë edhe për ata që do të arrijnë deri në fazën finale. Sipas organizatorëve, kjo është edhe një mundësi që tifozët, të cilët presin një garë, të kalojnë kohën dhe pse jo të provojnë të fitojnë.
Megjithatë, deklarata akoma më interesante vijnë nga Tony Estanguet, që është presidenti i ‘Lojrave’ që do të zhvillohen në Paris në vitin 2024. 3 herë kampioni olimpik u shpreh se popullariteti i lojrave elektronike vijon të rritet me shpejtësi dhe ekziston një mundësi e mirë që një turne i tillë të jetë pjesë e Paris 2024. Kjo do të ishte një risi në historinë e ‘Lojrave Olimpike’, teksa Estanguet garantoi se do të sillte një eksperiencë unike për të gjithë spektatorët.