Tuchel nuk garanton dot qëndrimin e Neymar dhe Mbappe…

Sport

Objektivi ‘Champions League’ vazhdon të jetë një mision i vështirë për PSG, që ende nuk ka gjetur rrugën e suksesit në arenën europiane. Kampionët e Francës pritet të jenë sërish aktivë gjatë merkatos për të provuar arritjen e lojtarëve që mund të rrisin cilësinë e skuadrës. Megjithatë, drejtuesit e kryeqytetasve duhet të bëjnë sërish llogaritë me ‘tekat’ e yjeve të skuadrës. Neymar është parë të jetë më shumë larg skuadrës se sa me grupin, ndërkohë që Mbappe lëshoi disa sinjale largimi gjatë javës së kaluar. Për këtë arsye, një nga pyetjet kryesore që i është bërë trajneri Tuchel në ditët e fundit ka qenë pikërisht për qëndrimin ose jo të dy lojtarëve kryesorë të skuadrës së tij.

Tekniku gjerman kërkoi t’i sqarojë të gjithë zërat duke thënë se ai dhe drejtuesit duan që të gjithë lojtarët të qëndrojnë, në mënyrë që të vazhdojnë përpara me projektin e nisur gjatë verës së kaluar. Por pavarësisht dëshirës së tij apo të drejtuesve, Tuchel thotë se nuk e garanton dot qëndrimin e Neymar apo Mbappe. Trajneri gjerman deklaroi se gjerat mund të ndryshojnë shumë shpejt dhe përpara është një verë e gjatë, prandaj nuk mund të flas me siguri për lojtarë të caktuar. Një nga gjërat që komplikon largimin e Neymar apo Mbappe nga PSG, është edhe çmimi i lartë që drejtuesit e PSG kërkojnë për kartonin e tyre. Kampionët e Francës pretendojnë për secilin një shumë mbi 200 milionë euro, çfarë shumë pak klube në tregun europian janë të aftë t’i paguajnë.