Tuchel do reagimin e Chelsea, Conceiao pa liderin e mesfushes

Sport

Sérgio Conceição (trajner i Portos): “Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një sfidë e vështirë, por jemi gati. Mund të ketë variacione në sistemin e lojës nga ana jonë. Në jetë nuk ka asgjë të pamundur, veçanërisht kur flitet për futbollin. Do të kisha dashur që Chelsea të vinte nga një fitore në kampionat. Tani, në situatën ku ndodhet pas humbjes me Ues Bromuic, do të kërkojnë patjetër një reagim të fortë. Tifozët? Ata kanë qenë gjithmonë të palodhur në pasionin dhe mbështetjen e tyre. Këtë frymë do të kërkojmë ta përcjellim ne si skuadër, në fushën e lojës. Nuk do të jetë e lehtë të luajmë pa Sergio Oliveiran, që është i skualifikuar. Por unë jam këtu për të gjetur zgjidhje”.

Pepe (mbrojtës i Porto): “Ndeshja kundër Juventusit është e kaluar. Më e rëndësishmja është ajo që kemi për të përballuar ndaj Chelsea. Duhet të tregojmë maksimalisht pasion dhe përulësi të madhe, për të luajtur si skuadër. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë. Kemi një frymë pozitive dhe mezi presim të zbresim në fushë. Mund të them se jemi përgatitur në mënyrën më të mirë. Asgjë nuk është e sigurtë në futboll, por shpresojmë që në fushë të jemi ajo skuadër që presin tifozët tanë. E respektojmë Chelsean. Dihet që do të jetë e vështirë, por duam të kualifikohemi e do të luajmë shanset tona”.

Thomas Tuchel (trajner i Chelsea): “Këto janë cerekfinalet e Champions League. Prandaj do të luajmë 4 pjesë ndeshjesh, ku duhet të jemi plotësisht të përqendruar. Mbi të gjitha duhet të tregohemi të vetëdijshëm për pikat tona të forta, mes të cilave janë edhe skemat tona sulmuese. Kam ndjesinë se mund ta mposhtim Porton, por nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Bëhet fjalë për një ekip shumë ekspert në këtë kompeticion dhe që prej disa vitesh shpallet kampione në Portugali. Gjithsesi, ne kemi besim në veten tonë dhe besojmë se mund të kalojmë turin. Jam tepër i lumtur, sepse i kam të gjithë lojtarët në dispozicion. Më duhet të marr disa vendime të rëndësishme. Megjithatë jam i sigurtë se të gjithë do të jenë gati për të dhënë kontributin e tyre në çdo moment gjatë këtyre 90 minutave të para”.

Mateo Kovaçiç (mesfushor i Chelsea): “Ky është një short i vështirë, pasi Porton e shoh një skuadër të fortë. Gjë që e tregoi edhe me Juventusin. Eleminoi një kundërshtër të fortë, duke treguar bashkim dhe frymën e duhur prej skuadre. Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse luftojnë të gjithë bashkë, edhe kur gjenden në vështirësi. Nuk do të jetë aspak e lehtë, si të gjitha ndeshjet e Champions league. Por e gjithë skuadra është e përqendruar. Do të ishte fantastike sikur me Chelsean të luaja në një finale. Sidoqoftë, jemi vetëm në çerekfinale dhe duhet t’i hedhim hapat me radhë. Jemi gati të sfidojmë çdo kundështar që do të kemi përballë nesh”.