Një tronditje e re vjen për futbollin italian, me drejtuesit e klubeve romane që kanë përfunduar nën hetim. “Guardia di finanza”, me urdhër të Prokurës së kryeqytetit italiane, ka kryer kontrolle dhe sekuestro në zyrat e klubeve si Roma, Lacio dhe Salernitana. Cështja në fjalë ka të bëjë me shit-blerjet e disa futbollistëve, referuar operacioneve të merkatos të ndodhura në vitet 2017, 2018, 2019 e 2021.
Për verdhekuqtë kanë përfunduar nën hetim me akuzën e falsifikimeve presidenti dhe zv/presidenti, Den e Rajan Friedklin, si dhe ish-presidenti i klubit, Xhejms Palota. Në lupën e hetuesve përfshihen transferimet e lojtarëve si Markica, Fratezi, Tuminielo, Luka Pelegrini, Setin, Kançielieri dhe Diabi’, sa i takon lëvizjeve në dalje. Kurse për blerjet nga verdhekuqtë, emrat janë ato të futbollistëve Defrel, Kristante, por edhe të shqiptarit Marash Kumbullam, i cili erdhi nga Verona përpara 3 vjetësh.
Te Lacio ndërkaq janë nën hetim presidenti Kaludio Lotito, si dhe drejtori sportiv, shqiptari Igli Tare. Bashkë me të, emrat e tjerë janë ato të këshilltarit të deleguar, Mario Moskini, e gjitashtu drejtuesve Marko Kavaliere, Luciano Korradi, Ugo Marketi dhe Angelo Mariano Fabiani, në rolin e ish-drejtorit sportiv të Salernitanës, klub që ka qenë nën pronësinë e Lotitos.
Në qendër të dyshimeve të Prokurorisë ka përfunduar dokumentacioni i transferimeve të lojtarëve si Sprokati, Kazasola, Marino, Çiçerelli, Novela, Morrone e Akpa Akpro, objekt i shit-blerjeve mes klubit bardhekaltër dhe Salernitanës. Menjëherë ka reaguar Lacio përmes një komunikate, duke thënë se “klubi është një shtëpi kristali, ku dokumentet janë në rregull dhe gjithmonë në dispozicion të autoriteteve. “Në veprimet tona jemi prirur të jemi brena kontureve të ligjit dhe bashkëpunues. Prandaj dorëzuam cdo dokument që na u kërkua. Kemi besim te drejtësia dhe besojmë se do të largojmë cdo dyshim, apo keqkutpim në lidhje me cështjen për të cilën akuzohemi”, shkruhej në komunikatën e bardhekaltërve. Edhe Roma nga ana e vet mori pozicion me një reagim për shtyp, duke thënë se po bashkëpunon me autoritetet komptente dhe uron që të qartësohet gjithcka brenda një kohe të shkurtër, duke qenë se konsideron veprimet e saj brenda normave në fuqi.