Charles Leclerc ka fituar zemrat e shumë tifozëve të ‘Formula 1’, sidomos në dy javët e fundit, kur monegasku ka arritur të fitojë 2 garat e para në këtë kategori. Leclerc riktheu Ferrarin tek fitorja në Monza, ku ‘kokëkuqja’ nuk triumfonte prej 9 vitesh.
21-vjeçari e niste nga ‘pole-position’ dhe pavarësisht se vuajti presionin e makinave Mercedes për thuajse gjatë gjithë garës, ia doli të rezistonte. Leclerc shfrytëzoi më së miri faktin që Ferrari ishte makina më e shpejtë në vijën e drejtë, duke i bërë ballë edhe sulmeve me sistemin ‘DRS’ të makinave ndjekëse.
Në fillim ishte Hamilton ai që u përpoq të merrte kryesimin, duke patur edhe një duel të ashpër me pilotin e Ferrarit, i cili do të merrte edhe një paralajmërim. Ndërsa në fundin e garës do ishte Bottas ai që do të përpiqej të vinte nën presion monegaskun, por pa sukses. Kështu, Mercedes u kënaq vetëm me podiumin, që në renditjen e përgjithshme për konstruktorë thellon kryesimin e skuadrës së drejtuar nga Toto Wolf.
Paraqitje e mirë për makinat Renault, që e mbyllën në vendet 4-5, ndërsa Verstappen pati probleme në startin e garës dhe arritja e vendit të 8 mund të konsiderohet si rezultat i mirë. Por zhgënjimi më i madh i fundjavës ishte Sebastian Vettel. Edhe njëherë tjetër, gjermani i Ferrarit merr vëmendjen për shkak të gabimeve të tij dhe një humbje e kontrollit të Ferrarit, por edhe rikthimi i rrezikshëm në pistë, kompromentoi të gjithë garën e 4 herë kampionit të botës, i cili për momentin duket të jetë nën hijen e Charles Leclerc.
Hamilton ndërkohë vijon kryesimin për çështjen e titullit me 284 pikë, 63 më shumë se Valtteri Bottas.