Portali italian “Tuttomercatoweb” ka realizuar një bilanc në lidhje me 7 javët e para të Serisë A, duke listuar 50 futbollistët, që kanë bërë paraqitjet më të mira, bazuar në notat e dhëna prej mediave. E në këtë listë nuk mungojnë as lojtarët shqiptarë. Më i miri prej tyre mund të konsiderohet Etrit Berisha, portieri i transferuar nga Atalanta te Spali. Aty ku përmes paraqitjeve të tij, ka rezultuar ndër më të vlerësuarit e skuadrës nga Ferrara. Në këtë renditje speciale, ai renditet i 18-ti, me një notë mesatare 6.57. Teksa është vlerësuar si një ndër të vetmit aspekte pozitivë të skuadrës së tij, të paktën deri tani. Mbi të gjitha është konsideruar si e shkëlqyer paraqitja e bërë kundër Juventusit të Cristiano Ronaldos.
Në klasifikimin e “Tuttomercatoweb” i 26-ti me një notë mestare 6.5 gjendet edhe zbulimi i këtij sezoni te Verona, Marash Kumbulla. Edhe pse në moshën 19-vjeçare, lojtari i Kombëtares shqiptare konsiderohet një titullar i padiskutueshëm nga trajneri Juric. Në një kohë kur fundjavën e kaluar, Kumbulla gjeti edhe golin e parë në Serinë A. Si rrjedhojë, falë edhe paraqitjeve konstante, ka marrë vlerësime të mëdha nga mediat.Ndërkohë, Amir Rrahmani, mbrojtës i Veronës me rrënjë shqiptare, por që luan për Kosovën, mban vendin e 37-të (me mestare 6.36) në renditjen e 50 lojtarëve më të mirë të deritanishëm të Serisë A. Ai ka qenë futbollisti i vetëm nga i cili trajneri Juric nuk ka hequr dorë në këto 7 javë, duke e aktivizuar gjithmonë titullar. Shenjë e besimit që ka kundrejt ish-lojtarit të Partizanit dhe Dinamos së Zagrebit. Gjë të cilën Rrahmani ia ka shpërblyer në fushën e lojës.