Trajneri Simone Inzaghi pranë rinovimit të kontratës me klubin e Interit

Sport

E ardhmja e Simone Inzaghit është vetëm Interi. Mediat italiane njoftojnë, se klubi zikaltër dhe trajneri në fjalë, janë shumë pranë rinovimit të kontratës, deri në vitin 2028. Marrëveshja aktuale mes palëve përfundon në verën e 2026-tës, por dëshira është e përbashkët që të vazhdohet me të njëjtin project.

Me emërimin në krye të stolit të Interit, në verën e 2021-shit, Inzaghi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke kaluar në njëfarë mënyre edhe pritshmëritë. Përgjatë kësaj kohe, Interi ka arritur të shkojë një herë në finalen e Champions League në vitin 2023, ndërsa në Itali, ka fituar më shumë trofe sesa çdo skuadër tjetër. Zikaltërit kanë triumfuar dy herë në Kupë dhe 3 të tjera në Superkupë. Kurse arritja më e madhe e Inzaghit, është titulli kampion i fituar në sezonin e kaluar.

Edhe këtë edicion futbollistik, Interi duket në rrugën e mbarë për të mbrojtur trofeun, teksa në 29 javë në kampionat, klasifikohet në vendin e parë, në kuotën e 64 pikëve, 3 më tepër sesa Napoli i vendit të dytë.

Këto rezultate, i kanë bërë drejtuesit interistë, të besojnë se Simone Inzaghi është trajneri i duhur për të korrur suksese të tjera, ndoshta edhe më të mëdha. Në kampin zikaltër, shpresojnë që ky të jetë sezoni i duhur për të sjellë në shtëpi trofeun e Champions League, titull që për herë të fundit është fituar në vitin 2010. Në Champions League, Interi është i kualifikuar në fazën çerekfinale, atje ku do të ndeshjet me Bayern Munich.

Sa i përket rinovimit të Inzaghit, përditësimi i marrëveshjes pritet të konkretizohet në të ardhmen e afërt, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ndodhë në verën e këtij viti, ashtu siç ndodhi në rinovimin e fundit.