Trajneri Semak kërkon që Zeniti të hidhet në sulm; Leipzig gati për sfidën e re

Sport

Sergei Semak, trajneri i Zenit: “Nuk do të kemi mungesa të mëdha nga dëmtimet. Të gjithë janë stërvitur, prandaj besoj se skuadra do të jetë gati për këtë ndeshje të rëndësishme. Duhet të provojmë të neutralizojmë shpejtësinë e tyre. Leipzig del shumë shpejt përpara dhe po aq shpejt kthehet në mbrojtje. Nuk duhet ta lejojmë të kenë të njëjtën rrjedhshmëri loje si në takimin e parë, pasi kjo na hapi jo pak probleme. Ne kemi në përbërje lojtarë me cilësi të ndryshme teknike e taktike. Duhet të përfitojmë nga kjo gjë e të bëjmë zgjedhjet e duhura në situata të caktuara. Mendoj se fakti që luajmë përpara publikut tonë, do të jetë një avantazh i madh, sidomos në një sfidë kaq delikate sa kjo e sotmja.”


Artem Dzyuba, sulmues i Zenit: “Në ndeshjen e parë nuk sulmuam në mënyrën e duhur. Ata e vendosën linjën e parë shumë lart, duke ushtruar vazhdimisht presing dhe kjo në fakt na vuri në vështirësi. Por patëm mundësi të ndryshme për të kundërsulmuar, çfarë nuk e shfrytëzuam si duhet. E dimë se Leipzig nuk do të vijë për t’u mbrojtur këtu, por mendoj se kemi marrë mësimet e duhura nga ndeshja e parë. Ata luajnë futboll të hapur dhe detyra jonë është të përfitojmë sa më shumë nga kjo gjë.”


Julian Nagelsmann, trajneri i Leipzig: “Të jem i sinqertë, pres një ndeshje të ngjashme me atë të dy javëve më parë. Dua që skuadra ime të luajë në të njëjtën mënyrë. Ndoshta këtë herë Zeniti nuk do të mbrohet aq shumë sa në ndeshjen e parë dhe do të provojë të fitojë, por kjo mund të na japë neve edhe më shumë mundësi përpara. Nuk mendoj të bëj ndryshime tek skuadra ime. Lojtarët kanë të gjithë dëshirën për të zbritur në fushë e për të dhënë maksimumin. Kjo më shton besimin akoma më shumë. Dua që djemtë ta shfaqin këtë dëshirë edhe në fushën e lojës. Nëse e bëjnë këtë, mendoj se i kanë të gjitha cilësitë për të marrë një rezultat shumë të rëndësishëm.”


Konrad Laimer, mesfushor i Leipzig: “I kemi treguar vlerat tona në dy ndeshjet e fundit dhe e dimë se sot na pret një provë e vështirë, ndoshta edhe më e komplikuar se takimet e mëparshme. Por kjo nuk na vë në vështirësi. Na pëlqejnë sfidat dhe të tilla situata na motivojnë akoma më shumë për të arritur një rezultat pozitiv, që do të thoshte shumë për ne. Duam të bëjmë një tjetër përformancë të mirë dhe të marrim 3 pikët e radhës. Në takimin e parë u mbrojtëm më mirë se herët e tjera, por gjithësesi, ndaj Zenitit duhet treguar kujdes i veçantë. Ata kërkojnë fitoren dhe tashmë i njohin pikat tona më të forta.”