Trajneri Lampard i mahnitur nga paraqitjet e Christian Pulisic

Sport

Christian Pulisic u ble nga Chelsea që në muajin janar, me ‘blutë’ e Londrës që pranuan të derdhin 64 milionë euro tek arkat e Borussia Dortmund për kartonin e amerikanit. 20-vjeçari ka qenë ndër lojtarët më të dalluar të Chelseat në fazën përgatitore dhe këtë e pranon edhe trajneri i londinezëve, Frank Lampard. I ardhur në krye të stolit të ‘bluve’ gjatë kësaj vere, Lampard u shpreh se është mahnitur nga paraqitjet e Pulisic. Fakti që sapo vinte nga pushimet dhe luante në ndeshje miqësore bënte që të mos kishte shumë pritshmëri ndaj Pulisic në muajin e tij të parë si lojtar i Chelseat, por amerikani ka ditur të lërë gjurmën e tij thuajse në çdo ndeshje që ka luajtur. Pulisic gjeti rrugën e rrjetës në sfidën që londinezët fituan 5-3 ndaj Salzburg dhe Lampard nuk u kursye ndaj lojtarit të tij.

Largimi i Hazard pritej të linte një boshllëk të madh në sulmin e Chelseat, por deri më tani, Lampard ka ditur të marrë më të mirën e lojtarëve që ka në dispozicion dhe Pulisic është sigurisht një nga ata që ka befasuar. Trajneri i londinezëve shtoi se Pulisic do të marrë kohën e tij sa i përket përshtatjes me kampionatin anglez, pasi sipas tij, të luash si anësor në Angli është shumë më e vështirë se në çdo kampionat tjetër. Megjithatë, Lampard e sheh Pulisic si një bast të sigurt dhe thotë se 20-vjeçari ka të gjithë potencialin e duhur për t’u bërë një nga më të mirët në qarkullim. Paraqitjet e mira të bëra nga Pulisic gjatë fazës përgatitore, por edhe nga lojtarë të tjerë të rinj nga akademia rrisin shpresat e sezonit të ardhshëm për Lampard, pas dënimit me pezullim të merkatos që ‘blutë’ morën nga FIFA.