Pavarësisht 200 milionë eurove të shpenzuara në merkato, e pavarësisht se në ditët në vijim mund të ketë të tjera përforcime, trajneri Erik ten Hag thotë se Manchester United nuk është gati për t’u konsideruar favorit për të fituar titullin kampion në Premier League.
Sipas numrit një të stolit në “Old Trafford”, i vetmi ekip që mund të cilësohet favorit për t’u shpallur kampion në Angli, ndonëse jemi ende në fazën përgatitore, është Manchester City.
“Nuk është momenti i duhur për të folur për diçka të tillë. Mendoj se asnjë skuadër në Premier League nuk mund të konsiderohet pretendente në këtë fazë. Ndoshta mund të cilësohet vetëm Manchester City, duke marrë parasysh që në 6 edicionet e fundit, ata janë shpallur kampionë plot 5 herë. Për këtë arsye, klubet e tjera, mund të konkurojnë vetëm për një prej 4 vendeve të para”, ka deklaruar hollandezi, i cili me këto fjala, ka synuar gjithashtu që shmangë presionin nga futbollistët e tij, sidomos në nja fazë, kur sezoni i ri futbollistik, ende nuk ka nisur.
Sa i përket rivalitetit me Cityn, Ten Hag ka thënë se që prej kur ai ka marrë drejtimin e United, hendeku mes të dyja ekipeve është ngushtuar në nivel të konsiderueshëm, megjithëse skuadra e Pep Guardiolës vazhdon ende që të konsiderohet favorite.
“Mendoj se i kemi dhënë provat se mund të fitojmë ndaj Manchester Cityt, por këtë duhet ta tregojmë çdo ditë tonën. Thënë këtë, kemi rrugë të gjatë për të bërë. Faktet tregojnë se City i fiton ndeshjet me më tepër lehtësi sesa ne, kështu që kemi ende punë për të bërë”, ka deklaruar Ten Hag.