Trajneri i Interit, Inzaghi: Milani është në garë për titullin kampion

Sport

Për shumëkënd, Milani nuk mund të konsiderohet në garë për titullin kampion në Serie A, por këtu nuk bën pjesë trajneri i Interit, Simone Inzaghi. Numri një i stolit zikaltër, është shprehur se bashkë me Juventusin, edhe Milani padyshim që mund të konsiderohet pretendent për të ngritur trofeun më të rëndësishëm në futbollin italian. Ndonëse ekipi i drejtuar nga Stefano Pioli klasifikohet në vendin e 3, 9 pikë pas Interit kryesues, Inzaghi sërish e shikon si kërcënim rivalin e qytetit.

“Deri më tani kemi zhvilluar 20 javë shumë të mira, por rruga është ende e gjatë. Duam të vazhdojmë kështu, sepse pas nesh janë dy skuadra të tjera mjaft të forta, sikurse janë Juventusi dhe Milani”, është shprehur Inzaghi, fjalët e të cilit kanë ardhur nga Londra, atje ku ishte i pranishëm në mbrëmjen gala të organizuar nga FIFA për më të mirët e vitit 2023.

Inzaghi ishte pjesë e listës së 3 trajnerëve më të mirë, duke garuar bashkë me Luçiano Spallettin dhe Pep Guardiolën. Mirëpo në fund, çmimi si trajneri më i mirë i vitit që lamë pas, shkoi për teknikun e Manchester Cityt, Guardiolën.

Përgjatë këtij muaji, me Interin e tij, Inzaghi ka mundësi të fitojë një tjetër trofe, atë të Superkupës së Italisë, që këtë sezon do të jetë me një format ndryshe, ku pjesëmarrëse do të jenë 4 skuadra. Si fillim do të zhvillohen dy gjysmëfinale dhe në fund finalja.

Interi është fituesi në fuqi i kompeticionit, teksa një vit më parë, mposhti Milanin në Arabinë Saudite, atje ku Superkupa do të zhvillohet edhe këtë vit.