Teksa ky sezon futbollistik, mund të klasifikohet si një dështim për Tottenham, klubi anglez ende nuk ka gjetur një trajner për të drejtuar skuadrën. I fundit, i komentuar për t’u emëruar në krye të Spurs, ishte Arne Slot, i cili në Hollandë, shkroi historinë me Feyenoord, duke fituar titullin kampion. Përgjatë ditëve të fundit, mediat në ishull kanë raportuar se tekniku në fjalë po merrte në konsideratë të niste një aventurë në Premier League dhe konkretisht tek të ashtuquajturit, “Zambakët e Bardhë”.
Mirëpo, pas këtyre zërave, është dashur të flasë vetë Slot, i cili ka refuzuar të drejtojë Tottenham, ndërsa është shprehur se dëshira e tij është të mbetet në krye të Feyenoord.
“Kam dëgjuar të flitet shumë për mua, këto kohë. Unë vlerësoj gjithçka, por preferoj të qëndroj këtu dhe të vazhdoj punën e mrekullueshme që jemi duke bërë. Vëmendja ime është që në sezonin e ardhshëm, të jem në krye të Feyenoord”, ka thënë Slot.
Sipas mediavë të huaja, Slot ka një klauzolë largimi deri në 5 mln euro me Feyenoord, por që hyn në fuqi në verën e ardhshme. SIdoqoftë, drejtuesit e kampionëve hollandezë po përgatiteshin edhe për një largim të parakohshëm të trajnerit të tyre. Për këtë arsye, nëse Slot do të largohej këtë verë drejt Tottenham, ata do të kërkonin 20 mln euro nga klubi anglez.
Megjithatë, kjo temë tashmë është ndërprerë në mes, pasi vëmendja e 44 vjeçarit është të mbetet në krye të klubit nga Rotterdam.