Edin Terziç nuk ka frikë nga Real Madrid në finalen e UEFA Champions League. Në 1 Qershor, Dortmundi dhe Reali do të përballen mes tyre në Uembley për të mësuar mbretin e ri të Europës. Pak ditë përpara ndeshjes së madhe, në konferencën për shtyp, trajneri i Dortmundit, Terziç është shprehur besimplotë se në një sfidë të vetme, skuadra e tij mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari të mundshëm në Europë.
“Ne kemi performuar mirë përgjatë gjithë sezonit dhe e kemi merituar vendin tonë në finale. Përballë do të kemi një ekip ekstremisht të fortë dhe me shumë eksperiencë. Mirëpo ne e dimë se në një ndeshje të vetme, gjithçka mund të ndodhë. Nëse do të luanim 10 herë ndaj Real Madrid, atëherë do të ishte një stërmundim i vërtetë që t’i fitonim të gjitha, por në vetëm një ndeshje, në 90 minuta, apo 120, plus penalltitë, ne jemi të aftë që të fitojmë ndaj çdo kundërshtari të mundshëm në botë”, ka thënë numri një i stolit verdhezi.
Borussia Dortmund prezantohet vetëm për të tretën herë në finalen e Champions League, kurse për Real Madrid, kjo është prezenca e 18-të në finalen e kompeticionit më të lavdishëm të klubeve.