Trajneri Emery beson tek kualifikimi në Champions League!

Sport

unai ars12
Lufta për një vend në Champions vazhdon të jetë e fortë në Premier League, me Tottenham, Arsenal, Chelsea dhe Manchester United që diskutojnë mes tyre 2 pozicione. Java e 34-t nuk ka qenë e mirë për asnjërën prej këtyre skuadrave që regjistruan vetëm humbje, ku më e papritura mund të cilësohet ajo e Arsenal në shtëpi, 2-3 ndaj Crystal Palace. Ndonëse e cilësuar si një nga skuadrat më të forta të kampionatit kur luan në fushën e saj, Arsenali dështoi të përfitonte nga hapat fals të kundërshtarëve, për të rrëmbyer vendin e tretë. Megjithatë për trajnerin e ‘topçinjve’, Unai Emery, nuk ka vend për panik. Sipas numrit 1 të stolit të skuadrës londineze, ekipi i tij e ka vetë në dorë kualifikimin ose jo në Champions League, pavarësisht asaj humbje ndaj Crystal Palace, që vetë Emery e cilësoi si të çuditshme dhe të vendosur nga disa episode.

emery 12

47-vjeçari u shpreh se skuadra u përpoq të luante në mënyrën e saj, por u lanë shumë hapësira për kundërsulmet e skuadrës mike, që rezultuan të ishin fatale. Emery gjithashtu refuzoi të kritikonte mbrojtësin me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi, pavarësisht paraqitjes së dobët të tij dhe kontestimin që iu bë nga ana e tifozëve. 4 skuadrat që luftojnë për një vend në Champions ndahen mes tyre me vetëm 3 pikë, ndërkohë që vlen të theksohet se Arsenal e Chelsea do të kenë edhe një shans tjetër nëse nuk ia dalin përmes renditjes në kampionat. Dy skuadrat angleze aktualisht janë në gjysmëfinalet e Europa League, triumfi në të cilën do të siguronte automatikisht një vend për në elitën e futbollit europian në sezonin e ardhshëm.