Trajneri Edin Terziç do të rinovojë kontratën me Borussia Dortmund. Pavarësisht se nuk arriti të fitonte asnjë trofe në sezonin 2023/24, nuk ka asnjë dyshim rrugëtimi që skuadra verdhezi përshkoi, konsiderohet një sukses më vete. Ndonëse nuk mundi të triumfonte dot në finale e madhe të UEFA Champions League përballë Real Madrid, mënyra sesi mbërriti deri në finale, është një provë e qartë se puna e Terziç në krye të ekipit është kolosale.
Në fillim të sezonit, pakkush mund ta kishte menduar që Dortmundi do të ishte njëra prej finalisteve të UEFA Champions League. E megjithatë ndodhi, kështu që drejtuesite e klubit, kanë vendosur të vlerësojnë punën e Terziç.
Sikurse raportojën mediat e huaja, klubi dhe trajneri do të takohen shumë shpejt së bashku për të biseduar mbi detajet e kontratës së re. Marrëveshja aktuale e Terziç me klubin verdhezi, që nisi 2 vite më parë, është e vlefshme edhe për një tjetër edicion, ndërsa shumë shpejt, pritet të hidhet e zeza mbi të bardhë në kontratën e re.
Në sezonin e ri, Dortmundi do të marrë sërish pjesë në Champions League, kurse vetë Terziç është shprehur që pavarësisht humbjes në finale, skuadra e tij do të përpiqet të qëndrojnë sërish në nivel të lartë dhe synimi është përsëritja e rrugëtimit të edicionit 2023/24.