Trajneri Carlo Ançelotti është në planet e Romës për sezonin e ardhshëm. Klubi verdhekuq po përjeton një sezon me plot ulje-ngritje, teksa deri më tani, skuadra është drejtuar nga 3 emra të ndryshëm, duke nisur nga Daniele De Rossi, Ivan Juriç, dhe Claudio Ranieri, i cili ka në dorë timonin e ekipit, deri në mbyllje të këtij edicioni futbollistik. Ndonëse Roma ia ka lënë të hapur mundësinë Ranierit që të vazhdojë punën si trajner edhe pas këtij sezoni, mesa duket, tekniku në fjalë, është i vendosur që të mos vazhdojë më.
Në rrethana si këto, mediat italiane bëjnë me dije se i preferuari kryesor i drejtuesve të Romës është pikërisht Carlo Ançelotti. Krerët e shoqërisë verdhekuqe, synojnë ta dërgojnë klubin në nivele të larta futbolli, qoftë në Serie A, apo edhe në Europë dhe personazhi i duhur për ta bërë një gjë të tillë, është pikërisht Carlo Ançelotti, për shkak të eksperiencës së jashtëzakonshme që zotëron.
Megjithatë, për ta bindur 65 vjeçarin që të transferohet në Olimpico do të jetë një mision mëse i vsshtirë. Më herët përgjatë sezonit actual, Ançelotti është shprehur se dëshira e tij është të qëndrojë sa më gjatë tek Real Madrid, klub ku ndihet gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe veç të tjerash, synon të fitojë vazhdimisht trofetë më të rëndësishëm. Ançelotti ka thënë më tej, se ai ka një respekt dhe një lidhje të jashtëzakonshme me Romën, por ka shtuar gjithashtu se nga e thëna në të bërë, është një ndryshim i madh dhe ai nuk ka asnjë arsye të largohet nga Real Madrid.
Megjithatë, njëkohësisht, të shumtë janë edhe zërat, se ky është sezoni i fundit i Ançelottit në Santiago Bernabeu, për shkak se skuadra nuk po kalon një periudhë të mirë dhe në mbyllje të këtij edicioni, drejtuesit e 15 herë kampionëve të Europës, mund të ndërpresin rrugëtimin me teknikun në fjalë.
Lajme të tilla, mund të shkaktojnë optimizëm në kryeqytetin italian dhe të shpresojnë se në të ardhmen e afërt, Ançelotti mund të bëhet trajner i Romës. Gjithsesi, koha do të jetë dëshmitare e gjithçkaje që do të ndodhë në lidhje me këtë çështje.