Trajneri Allegri: Kisha firmosur me Real Madrid, por Juventusi me telefonoi!

Sport

“E thashë dhe e përsëris. Këtë vit kisha nënshkruar një marrëveshje me Real Madridin. Më pas në mëngjes telefonova presidentin dhe i thashë se nuk do të shkoja sepse kisha zgjedhur Juventusin. Ai më falenderoi. Nëse do të kisha ndonjë dyshim? Jo, që kur më thirri Juventusi në maj, nuk kam pasur asnjë dyshim”, kjo është deklarata e trajnerit të bardhezinjve, Massimiliano Allegri në një intervistë të dhënë sëfundmi për mediat italiane.

Më pas numri një i stolit të bardhezinvje shtoi:

“Në nivel profesional do të ishte kulmi i një rruge, sigurisht: Milan, Juve, Real. Por në jetë nuk mund të kesh gjithmonë gjithçka dhe unë jam vërtet i lumtur dhe krenar që kam drejtuar Milanin për katër vjet dhe tani një klub si Juventusi. Realin e kam refuzuar dy herë.  E para ishte kur rinovoja me Juventusin: I thashë presidentit të Realit që tashmë ia kisha dhënë fjalën Andrea Agnellit”.

Duke folur për rikthimin e tij në Juventus, trajneri toskan përsëriti se është një sfidë e bukur.

“Kur mbërrita për herë të parë në vitin 2014 gjithçka ishte ndryshe. Antonio Conte kishte bërë një punë të shkëlqyer së bashku me klubin, duke fituar tre kampionate dhe duke ndërtuar një ekip shumë të fortë që duhej vetëm të rafinohej. Këtë vit është një ekip shumë ndryshe nga ai, me shumë lojtarë të rinj, me lojtarë të fortë por me më pak përvojë. Por ne po nisemi nga një bazë e qartë, e cila është ADN-ja e Juventusit të fitosh është gjëja më e rëndësishme si dhe të dish të vuash dhe të duash gjithmonë të luftosh.”