Sezon pas sezoni, Harry Kane është përfolur jo pak herë për largimin nga skuadra e Tottenham. Sulmuesi anglez është parë gjithnjë si një lojtar i klasit botëror e për këtë arsye, shpesh është parë të zhvendosë karrierën e tij në një klub më të madh, ku mund të ketë mundësinë të luftojë për fitimin e trofeve. Edhe këtë verë, emri i Kane do të vazhdojë të lakohet në merkato dhe tek Tottenham po përgatitet për të gjithë skenarët e mundshëm. Kontrata aktuale e Kane me londinezët skadon në qershorin e 2024-ës dhe për momentin, sulmuesi nuk po e mendon rinovimin. Veç klubeve të mëdha angleze, për shërbimet e tij interesohen edhe Real Madrid apo Bayern Munich, që janë gati të shpenzojnë deri në 100 milionë euro për 29-vjeçarin. Mirëpo Tottenham nuk do të heqë dorë nga kërkesat për kartonin e lojtarit, pavarësisht se Kane i ka mbetur edhe 1 vit kontratë me ‘Spurs’-at. Siç zbulojnë mediat angleze, për të lënë të lirë Kane, Tottenham kërkon një shifër prej 115 milionë eurosh, që do të ishin të mjaftueshme edhe për të gjetur një zëvendësues me peshë të kapitenit të tyre. Në aspektin personal, Kane vijon të shfaqë një rendiment të shkëlqyer. Këtë sezon, kapiteni i kombëtares angleze numëron 49 ndeshje të luajtura, me 32 gola të shënuar e 5 asiste, çfarë e listojnë si ndër golashënuesit më të mirë në Europë. Në fakt, përpara tij qëndron vetëm Erling Haaland, e ndërkohë që ky i fundit po lufton për të fituar ‘tripletën’ me Manchester City, Kane mbetet ende pa asnjë trofe të fituar në karrierë. Kjo duket të jetë edhe arsyeja pse Kane po e mendon seriozisht largimin nga Tottenham, skuadër ku ai ka luajtur pothuajse të gjithë karrierën e tij si profesionist.