Tottenham, mbetet në pikëpyetje çështja e stadiumit, mund të luhet në Wembley deri në fund të vitit

Sport

tottenh

Vazhdon të jetë shqetësuese çështja e stadiumit për Tottenhamin në Londër. Klubi i Spursave ka shpenzuar shuma të majme për të ngritur një impiant të ri prej 62 mijë spektatorësh. Projekt rreth 1 miliardë eurosh për një nga stadiumet më të mëdha të Premier-League-ës. Por ja që gjërat nuk po shkojnë sipas parashikimeve. Vonesa në detajet e fundit të ndërtimit, dhe po kështu të plotësimit të kushteve të sigurisë, bënë që stadiumi të mos jetë gati. Fillimisht qe parashikuar që inaugurimi të bëhej më 15 shtator në sfidën kundër Liverpoolit, por dy javë më parë u raportua me burime brenda klubit, se gjërat kishin ngecur. Fillë u bë një kërkesë në Federatë dhe Tottenham vazhdoi edhe këtë vit ta konisderonte Wembley-in si stadiumin e saj.

daniel levy

Presidenti Daniel Levy tashmë ka paralajmëruar se me gjasa kjo situatë do të vazhdojë deri në fund të këtij viti. Raportimet kanë shkaktuar pakënaqësi te tifozët dhe po kështu edhe te operatorët e transmetimit. Tottenham nga ana tjetër duhet të fiksojë edhe ndeshjet për në Champions League. Ndërkohë në përballjen e tetorit kundër Manchester City-it, edhe Wembley mbetet në pikëpyetje, kjo pasi përpara kësaj sfide do të luhet një ndeshje e futbollit amerikan. E pra ky sezon duket goxha i trazuar për Tottenhamin, të paktën jashtë fushe, sepse në fushë grupi i Pochettinos po tregon se mbetet po aty, në ato nivele për të mundur skuadra si Manchester United.