Tottenham komplikon çështjen e kualifikimit në Champions League

Sport

Tottenham komplikon çështjen e kualifikimit në Champions League për sezonin e ardhshëm. Largimi i Antonio Contes nuk e ka përmirësuar situatën brenda kampit të Spurs, të paktën sa i përket rezultateve në fushën e lojës.

Në javën e 29 të Premier League, klubi nga Londra Veriore nuk shkoi dot më tepër sesa një barazim 1-1 në transfertën e Evertonit. Madje. Në Goodison Park, sfida u shoqërua nga episode të ndryshme. Në të 58-tën, Abdulai Dukure, u ndëshkua me karton të kuq për vendasit, për shkak të një ndërhyrje anti-sportive ndaj Harry Kane.

Në të 68-tën, do të ishte pikërisht kapiteni i Tottenham ai që do të kalonte në epërsi ekipin e tij nga pika e bardhë e penalltisë. Tensionet nuk munguan deri në fund, aqsa në të 88-tën, Lucas Moura u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq, duke barazuar numrin e lojtarëve në fushën e lojës.

Mirëpo, atëherë kur u mendua se Tottenham, i udhëhequr nga Cristian Stellini do të merrte 3 pikë pikë të plota nga ky takim, Evertoni kishte të tjera ide. Më saktë, mbrojtësi Michael Keane, i cili në minutën e 90-të, realizoi një gol spektakolar nga distance.

Në kushte si këto, në 29 javë kampionat, Tottenham mbetet në vendin e 4 të renditjes, mirëpo Spurs rrezikojnë shumë të zbresin nga aty, sepse Manchester United që ndjek nga pas, ka luajtur dy ndeshje më pak, çka do të thotë se renditja në tabelë mund të ndryshojë.