Christian Eriksen deklaronte pas finales së ‘UEFA Champions League’ në sezonin e shkuar se po e mendonte seriozisht largimin nga Tottenham, pasi ka dëshirë të provojë një aventurë të re. Ky vendim u respektua si nga ana e drejtuesve, edhe nga tifozët, ndonëse dëshira e tyre është që mesfushori danez të qëndrojë me ‘Spurs’-at. Por për t’i paraprirë çdo gjëje, tek Tottenham janë vënë në kërkim të një emri të duhur për të marrë vendin e Eriksen dhe profili më i preferuar për nënkampionët e Europës gjendet në Spanjë. Bëhet fjalë për lojtarin e Real Betis, Giovani Lo Celso, i i cili gjatë sezonit të kaluar ka shkëlqyer me paraqitjet e tij. Lo Celso u bë pjesë e Betis, pasi spanjollët shpenzuan 22 milionë euro për ta blerë nga PSG.
23-vjeçari ka qenë ndër lojtarët më të mirë të skuadrës nga qyteti i Sevillas, teksa në 46 ndeshje në të gjitha kompeticionit, dha kontributin e tij me 16 gola dhe 6 asiste. Lojtari ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave, ndërsa vlera e tij llogaritet mbi 50 milionë euro. Tottenham duket të jetë skuadra e parë që ka bërë lëvizje konkrete për lojtarin, pasi thuhet se i kanë ofruar Betis plot 60 milionë euro. Shumë media angleze dhe spanjolle raportonin se klubet e kishin arritur marrëveshjen, ndonëse ende nuk ka asgjë zyrtare. Në Spanjë shtojnë se Betis mund të presë ndonjë ofertë tjetër për mesfushorin argjentinas, në mënyrë që për 23-vjeçarin të hapet ‘një ankand’ dhe skuadra spanjolle të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij. Megjithatë, me shumë gjasa duket se e ardhmja e tij do të jetë në Londër tek Tottenham.