Tottenham i gëzohet rikthimit të Harry Kane!

Sport

Harry Kane do të jetë në fushë në finalen e madhe të ‘Champions League’. Sulmuesi i Tottenham është një nga ata që e pret me padurim ndeshjen më të rëndësishme të futbollit europian për këtë sezon dhe kapiteni i kombëtares angleze duket se ka lënë pas dëmtimin në ligamente. Kane u shpreh se ndihet shumë mirë dhe është në formë për të ndihmuar skuadrën e tij në atë që shihet si ndeshja më e rëndësishme e historisë së klubit londinez. Lideri i ‘Spurs’-ave u dëmtua në ndeshjen e parë kundër Manchester City-t, ku lëndoi ligamentet e gjurit të majtë.

Megjithatë, me ndihmën e stafit mjekësor por dhe me përkushtimin maksimal të vetë sulmuesit, është bërë i mundur rikuperimi në kohë i Kane. Sulmuesi gjithësesi u shpreh se zgjedhja për të qenë në fushë që nga minuta e parë apo jo i takon trajnerit Pochettino dhe se për vetë Kane, nevojat e skuadrës janë gjithmonë parësore. 25-vjeçari ishte pjesë e listës së kombëtares angleze të publikuar pak ditë më parë, por Kane thotë se e gjithë vëmendja e tij është tek finalja e madhe e Madridit. Prezenca e Kane në radhët e Tottenham është një lajm i shkëlqyer për trajnerin Pochettino, që do të ketë një armë më shumë në krahasim me sfidat që zhvilloi kundër Ajaksit. Harry Kane ka zhvilluar 8 ndeshje në ‘Champions League’ gjatë këtij sezoni, ku ka qenë protagonist me 5 gola dhe 1 asist.