Skuadra e Tottneham është duke luftuar për rikthimin në ‘Champions League’, teksa mbërritja e Antonio Conte-s në krye të stolit ka dhënë efektet e veta. ‘Spurs’-at tashmë renditen në vendin e katërt në kampionatin anglez, me 57 pikë, vetëm 3 më shumë se Manchester United dhe Arsenali, me këtë të fundit që ka edhe një ndeshje më tepër për të luajtur.
Kur kanë mbetur më pak se 6 javë nga fundi i sezonit, drejtuesit e Tottenham tani po hedhin sytë edhe nga merkatoja e verës, ku sërish, vëmendja zhvendoset në tregun italian. Pas emrave si Gollini, Romero, Bentancur e Kulusevski, Paratici dhe Conte po shohin me kujdes dy lojtarët e dalluar të Torinos, Gleison Bremer dhe Wilfried Singo.
Largimi i Bremer në verë është thuajse i sigurt dhe presidenti i Torinos, Urbano Cairo, do të pranojë ofertën më të lartë që do të vijë për 25-vjeçarin. Ndërsa për Singo, Tottenham ka si konkurencë vetëm disa ekipe italiane që interesohen për shërbimet e 21-vjeçarit nga Bregu i Fildishtë. Singo është një nga ata që mund të përshtatej mjaft mirë me skemat e trajnerit Conte, pasi mbulon i vetëm krahun e djathtë, në një sistem me 3 lojtarë në mbrojtje.
Kartoni i tij llogaritet në 15 milionë euro dhe tek Torino do të pranonin të bënin ulje nëse Tottenham do të vendoste t’i merrte të dy lojtarët njëkohësisht. Bremer në anën tjetër nuk ka më nevojë për reklamë. Mbrojtësi brazilian është ndër më të mirët në ‘Serie A’. Për të dy lojtarët, Tottenham thuhet se ka përgatitur një ofertë prej 50 milionë eurosh, që duket se mund ta lëkundë jo pak presidentin Cairo.
Gjithsesi, bisedimet sa i përket shifrave do të nisin vetëm në fundin e këtij sezoni, pasi tek Torino pretendojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e lojtarëve si Bremer apo Singo, e për këtë arsye, do të shqyrtohen me kujdes edhe propozimet e tjera.