Tottenham Hotspur i dha një tjetër shuplakë drejtimit të Jose Mourinho te Manchester United duke e mundur 3-0 në Old Trafford. Ndeshja ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe me plot raste nga të dyja anët, por ajo çka ra në sy ishte moria e gafave në radhët e Manchester United. Qoftë në mbrojtje, po ashtu edhe në sulm, me gola të munguar nga sulmuesi Romelu Lukaku. Duhej të vinte pjesa e dytë që Kane të zhbllokonte shifrat, dhe fillë pas golit të tij në minutën e 50-të, problemet dolën në pah për United-in. Të shpërfytyruar, ata vuajtën shumë shpejtësinë e Lucas Mouras. Pikërisht ky i fundit shënoi 2 minuta pas Kane-it. I gjendur në të tillë situatë Mourinho kreu 3 ndryshime radhazi.
Sanchez, Lindelof dhe Fellaini u hodhën në fushë, por asgjë nuk ndryshoi e njëjta shterpësi përpara, ndërsa vulën e vuri braziliani Lucas me golin e tretë në minutën e 84. Me shifrat 3-0 dhe humbjen e dytë këtë sezon, United regjistron nisjen më negative të këtyre 20 viteve të fundit. Presioni tashmë është në rritje për Mourinhon që e gjen veten në vendin e 13-të. “Respekt! Respekt! Respekt! 3-0… por ndërkohë 3 tituj… unë kam fituar më shumë se sa 19 trajnerët e tjerë mbledhur së bashku” – tha Mourinho pas përfundimit të ndeshjes në një tjetër konferencë në nerva prej tij, ndërsa shtypi lakon si mundësi shkarkimin qoftë të portugezit po ashtu edhe të eprorit Ed Woodword.