Pas dështimit të transferimit të tij tek Manchester United, Paulo Dybala mori një ofertë nga PSG, pasi argjentinasi mësoi se nuk bën më pjesë në planet e Juventus. Por siç kishin konfirmuar burime pranë sulmuesit, Dybala kërkon të transferohet në një kampionat kompetitiv dhe në këtë aspekt ‘Premier League’-a për të ka prioritet. Tottenham duket se do të fitojë ankandin për argjentinasin, pasi mediat raportojnë se dy klubet kanë arritur një marrëveshje për kartonin e lojtarit për shifrën e 70 milionë eurove. Që kur u transferua tek kampionët e Italisë nga Palermo, Dybala ka qenë ndër lojtarët më të spikatur të Juventus, por ardhja e Cristiano Ronaldos në verën e shkuar e la në hije sulmuesin argjentinas, që tashmë kërkon të zhvillohet diku tjetër. Tottenham duket padyshim një mundësi shumë e mirë për të, e që për më tepër i jep mundësinë që të luajë sërish në ‘Champions League’.
Tashmë ‘Spurs’-at po negociojnë me agjentin e lojtarit për të mbyllur sa më shpejt një marrëveshje, që pritet të jetë një situatë delikate, pasi Dybala prishi transferimin e tij tek Manchester United pikërisht për shkak se nuk iu plotësuan kërkesat financiare sa i përket pagës. Dybala pretendon të përfitojë 20 milionë euro në sezon, teksa edhe agjenti i lojtarit thuhet t’i ketë kërkuar ‘djajve të kuq’ një komision të majmë. Në rast se transferimi i argjentinasit tek Tottenham do të kompletohet, atëherë do të hapet rruga për largimin e Christian Eriksen nga ‘Spurs’. Për danezin interes të fortë ka shfaqur së fundmi Manchester United, që mund të gjejnë një marrëveshje me skuadrën londineze për një shifër rreth 55 milionë euro. Tottenham ka ulur pretendimet për lojtarin, pasi nuk dëshiron ta humbasë me parametra zero sezonin e ardhshëm.