Toronto Raptors e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme serinë e finales së madhe të NBA, teksa fituan ndeshjen e parë ndaj kampionëve në fuqi të Golden State me rezultatin 118-109. Kanadezët kishin marrë të gjitha masat për të përballuar Warriors, me këta të fundit që duket se e vuajnë mungesën e Kevin Durant. Raptors fituan dy periodat e para të lojës duke siguruar një avantazh prej 10 pikësh, të cilën e menaxhuan si duhet deri në fund të takimit. Kamerunasi Pascal Siakam bëri një nga ndeshjet e tij më të mirë të fazës finale të NBA, me 32 pikë, 5 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë. Siakam ishte padyshim ylli i ndeshjes, duke provuar edhe njëherë se mbetet ndër lojtarët që ka përmirësuar më së shumti lojën e tij nga sezoni i kaluar.
Ndërsa lideri i Torontos, KaWhi Leonard i ndal në 23 pikë, 5 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë. Ndërsa tek Golden State më i miri ishte si gjithnjë Steph Curry me 34 pikë të shënuara, kurse Draymond Green shënoi një tjetër ‘triple-double’ me 10 pikë, 10 asiste dhe po aq rikuperime të topit nën tabelë. Megjithatë, këto paraqitje të yjeve të Warriors nuk mjaftuan për të shmangur humbjen në ndeshjen e parë të serisë së finales. Tek Toronto ndërkohë besimi është rritur dhe të udhëhequr nga Leonard, shpresojnë të rrëmbejnë kurorën e kampionit pikërisht ndaj Golden State. Kanadezët do të kenë gjatë kësaj serie avantazhin e fushës së tyre, teksa edhe ndeshja e dytë do të zhvillohet në ‘Scotiabank Arena’ të Torontos.