Pas 10 vitesh dominancë nën projektorët e France Football, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo nuk ishin ndër të vlerësuarit me Topin e Artë. Luka Modric, finalist në botërorin Rusi 2018 me Kroacinë dhe një prej fitusve të Champions League-ës me Realin e Madridit, mori më shumë vota nga kolegët e tij. Gjatë fjalimit në marrjen e çmimit ai ishte shumë i emocionuar, por nuk harroi të falënderojë të gjithë ata që e kanë ndihmuar në arritjen e këtij piku në karrierë. “Jam i lumtur dhe shumë krenar” tha Modric teksa falenderoi shokët e ekipit, trajnerët te Reali Madridit dhe te Kroacia, të gjithë ata që e kishin votuar dhe më së shumti familjen.
“Kur isha fëmijë ëndërroja të bëhesha futbollist dhe të fitoja sa më shumë trofe. Por Topi i Artë është më shumë se një ëndërr” – ka thënë 33-vjecari i cili la prapa në klasifikim Cristiano Ronaldon dhe Antoine Griezmannin. Por mbrëmja e organizuar pati gjithashtu të tjera çmime. Të hënën u dha për herë të parë edhe vlerësimi i Topit të Artë për një futbolliste. 23-vjecarja norvegjeze Ada Hegerberg e cila luan si sulmuese me Lyonin iu gëzua këtij vlerësimi. Edhe pse pati një cast aspak të këndshëm dhe të pavend me një ftesë për “twerk” nga ana e DJ Martin Solveig, ajo nuk u dekurajua dhe ia kushtoi vlerësimin shoqeve të skuadrës. Gjithashtu një cmim të parë në llojin e tij e fitoi edhe Kylian Mbappe. Talenti francez u vlerësua me çmimin Kopa, i cili tashmë do të jepet për lojtarët nën 21-vjeç. Mbappe fitoi katër tituj të rëndësishëm këtë sezon. Pas Kupës së Ligës, kampionatit francez dhe Kupës së Francës, ai e mbylli sezonin e kaluar me Kupën e Botës.