Topi i Artë, Lionel Messi shton një tjetër në koleksionin e tij

Sport

Lionel Messi është fituesi i ‘Topit të Artë’ për vitin 2019. Argjentinasi, ashtu siç ishte spekuluar në ditët e fundit, ka mposhtur konkurencën e mbrojtësit të Liverpool, Virgil Van Dijk dhe të yllit të Juventus, Cristiano Ronaldo, për të rrëmbyer trofeun e gjashtë të ‘Topit të Artë’, çfarë e vendos në krye të të gjithëve sa i përket çmimit më të lakmuar individual. Messi ka fituar me distancë të ngushtë pikësh kundrejt Van Dijk, që gjithashtu ishte përfolur prej kohësh si një kandidat i fortë për të marrë këtë trofe në edicionin e 64 të tij.

Holandezi dhe Ronaldo plotësuan podiumin, ndërsa vendet 4 dhe 5 shkuan për yjet e tjerë të Liverpool, Sadio Mane dhe Mohamed Salah. 10-shja e parë u plotësua nga Kylian Mbappe, Alisson Becker, Robert Lewandowski, Bernardo Silva dhe Riyad Mahrez. Kështu, Lionel Messi kurorëzon në mënyrën më të mirë të mundshme një sezon fantastik të tij, ku arriti të shënojë plot 54 gola në total, nga të cilat, 45 me Barcelonën. Argjentinasi regjistroi edhe 23 asiste dhe golashënuesi më i mirë në ‘Champions League’.

Gjithashtu, kapiteni i Barcelonës ishte edhe njeriu që udhëhoqi katalanasit drejt ‘SuperKupës’ dhe titullit kampion në Spanjë, ku ishte golashënuesi dhe asistuesi më i mirë i sezonit. Pas çmimeve të ‘Këpucës së Artë’, ‘Sulmuesi më i mirë’ nga UEFA dhe ‘Lojtari më i mirë’ nga FIFA, Messi mbyll një sezon fantastik në aspektin individual duke marrë edhe ‘Topin e Artë’. Ai tashmë ka kaluar sërish mbi rivalin e tij të përjetshëm, Ronaldon, me portugezin që është ndaluar tek fitimi i 5 trofeve të tillë.