Tjetër trofe i fituar nga Liverpool, Jurgen Klopp pas gjurmëve të Sir Alex Ferguson

Sport

Liverpool fiton titullin e dytë të sezonit. The Reds shpallen kampionë të FA Cup për të 8-tën herë në historinë e klubit, duke mposhtur në finale skuadrën e Chelsean. Në Wembley, jo vetëm 90 minuta, por as 120 të tilla nuk mjaftuan për të parë një gol, pasi gjithçka u mbyll me rrjeta të paprekura. Më pas, nga pika e bardhë e 11 metërshave ishte ekipi nga Merseyside që doli triumfues me rezultatin 6-5.

Kjo është finalja e dytë radhazi që Liverpool fiton ndaj Chelsea. Pak muaj më parë, arritën të triumfonin ndaj tyre në Kupën e Ligës. Nuk ndodhte që prej sezonit 200/01 që The Reds t’I fitonin dy titujt në fjalë brenda një edicioni të vetëm futbollistik.

Në krahun tjetër, kjo ishte finalja e tretë radhazi që Chelsea mposhtet në FA Cup. Blutë, fillimisht pësuan disfatë nga Arsenali, në sezonin e kaluar nga Leiçester dhe këtë herë nga Liverpool. Newcaslte United është skuadra e fundit që kishte humbur 3 finale të njëpasnjëshme në këtë kompeticion. Konkretisht në vitin 1974, 1998 dhe 1999.

Për t’u kthyer tek kampionët, për këtë triumf të të kuqve, merita kryesore i shkon trajnerit Jurgen Klopp, i cili fiton FA Cup-in e parë që prej epokës kur ka marrë drejtimin e skuadrës. Në këtë mënyrë, gjermani bëhet trajneri i dytë që ka fituar Champions League, FA Cup, League Cup dhe Premier League me vetëm një klub anglez. Diçka të tillë përpara tij e ka bërë vetëm Sir Alex Ferguason me Manchester United. Mirëpo, sezoni nuk është mbyllur ende për Liverpool, pasi gjigantët e Merseyside janë në garë për të fituar Premier League dhe Champions League.