Tjetër “pazar” mes Bayern dhe Dortmund

Sport

Tjetër “pazar” mes Bayern dhe Dortmund . Ndonëse tradita e futbollit e do që dy gjigantët e Bundesligës të jenë rivalë të përjetshëm në fushën e lojës, nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur vjen fjala për marrëdhënien jashtë tapetit të blertë.

Ndër vite, dy gjigantët gjermanë kanë shkëmbyer disa futbollistë mes tyre, e nuk mund të ndodhte ndryshe as këtë herë.

Në fillim të verës, Bayerni siguroi shërbimet e Raphael Guerreros nga klubi verdhezi, kurse këtë herë ka qenë radha e Dortmundit që të transferonte në “Signal Iduna Park”, një lojtar të kampionëve të Gjermanisë.

Fjala është përe Marcel Sabitzer. Dy vite më parë, austriaku u ble me bujë nga bavarezët, por aventura e tij në “Allianz Arena” nuk shkoi ashtu sikurse pritej. 29 vjeçari nuk arriti të linte dot gjurmë dhe të kthehej në një element të rëndësishëm të skuadrës së Bayernit, e për këtë arsye, klubi dhe lojtari vendosën që të ndanin rrugët me bashkëpunim.

Për të kompletuar shërbimet e Sabitzer, Bortmundi ka paguar 19 mln euro në arkat e Bayernit, teksa në “Signal Iduna Park”, lojtari ka firmosur një kontratë 4 vjeçare.

Disa javë më parë, Sabitzer u përfol për një transferim tek Roma në Serie A, por mesa duket, palët nuk mundën të gjenin dot gjuhën e përbashkët, e për këtë arsye, karriera e mesfushorit ka marrë një tjetër drejtim.