Tjetër ndeshje pa fitore për Napolin, tension mes Osimhen dhe trajnerit Garcia

Sport

Vetëm 2 fitore në 5 javët e para të kampionatit për Napolin dhe 3 radhazi që skuadra e Rudi Garcia nuk ka mundur të marrë dot pikë të plota. Në transfertën e Bolognas, të kaltërit janë ndalur sërish, këtë herë në barazim pa gola, teksa në minutën e 72, Victor Osimhen gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, duke humbur kësisoj mundësinë për t’i dhënë epërsinë ekipit të tij.

Pasi më herët kishte hequr nga loja Kvicha Kvaratskhelian, katër minuta nga fundi i kohës së rregullt, Rudi Garcia vendosi ta zëvendësonte edhe sulmuesin Osimhen, me nigerianin që nuk e priti aspak mirë ndërrimin dhe nuk përtoi ta shprehte hapur pakënaqësinë ndaj teknikut të tij.

24 vjeçari i bëri një shenjë me dy gishta teknikut të tij, si për t’i thënë që mund të kishte mbajtur dy sulmues në fushën e lojës dhe jo një, duke qenë se ndeshja ishte mbërthyer me rrjeta të paprekura. Kjo ndodhi, përpara se Osimhen të reagonte me një tjetër gjes nervoz, teksa po i drejtohej stolit.

Në konferencën për mediat, pas përfundimit të sfidës, Rugi Garcia është shprehur se ai ka folur me Osimhen për zëvendësimin e tij, teksa njëkohësisht është shprehur se preferon edhe të aktivizojë edhe lojtarët e stolit, sepse potenciali i tyre është i lartë.

Vetëm 8 pikë në 5 javë dhe vend ii 7-të në renditje, janë rezultate që nuk i shkojnë për shtat një skuadre kampione në fuqi. Të tilla rezultate, kanë bërë që stoli i Rudi Garcias të shihet me dyshim, teksa sezoni ende nuk ka filluar të “nxehet”.

Megjithatë, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, është i bindur se Garcia është trajneri i duhur për të drejtuar skuadrën dhe ai beson se shumë shpejt, rezultatet do të vijnë. Sipas numrit një të klubit të Napolit, ekipi është duke zhvilluar paraqitje të mira në fushën e lojës, e për këtë arsye, frytet nuk do të vonojnë.