Tjetër humbje, nuk ka fund zhytja në krizë e Manchester United

Sport

Zhytja në krizë e Manchester United, duket sikur nuk ka fund. Në javën e 25 të Premier League, djajtë e kuq janë mundur 1-0 në fushën e Tottenham. Golin e vetëm për Spurs, e shënoi James Maddison në minutën e 13 të takimit. Pas një momenti të tillë, topi nuk do të përfundonte më në rrjetë, ndonëse mundësitë për ekipet përkatëse nuk munguan.

Kjo ishte humbja e 12 e Untied në 25 javë kampionat, diçka që për klubin anglez nuk kishte ndodhur që prej edicionit të largaët 1973/74, atëherë kur ranë edhe nga kategoria. E në fakt, edhe këtë sezon, situata për 20 herë kampionët e Anglisë, ka dalë tërësisht përtej parashikimeve. Kjo do të thotë, se të kuqtë e Manchesterit, tashmë kanë zbritur në vendin e 15 të tabelës së klasifikimit, në kuotën e vetëm 29 pikëve.

Për objektiv nuk mund të flitet më, teksa në Old Trafford tashmë shpresojnë që gjendja të mos komplikohet më tej, aqsa të diskutohet mbijetesa.

Me këtë ecuri, është duke u vënë në diskutim edhe e ardhmja e trajnerit Ruben Amorim, i cili në fillim, u duk sikur do të ishte personazhi i duhur që do të sillte skuadrën e United drejt rezultateve pozitive, por deri më tani, koha po tregon që portugezi i ka kaluar kushtet nga shiu në breshër. Nga 14 ndeshje që e ka drejtuar skuadrën ne Premier League, Amorim, ka arritur të marrë vetëm 4 fitore, 2 janë barazime, kurse 8 të tjera janë humbje. Pra, ish-tekniku i Sportingut, është duke marrë vetëm një pikë për ndeshje.

Nga ana tjetër, aspak e mirë është situata edhe për Tottenham, që pas dy fitoreve radhazi, është ngjitur në vendin e 12 të tabelës, por sërish, shumë larg pritshmërive.