Tjetër humbje në kampionat për Interin, sezon i përkryer për Udinesen

Sport

Interi pëson humbjen e 3-të vetëm në javën e 7-të të kampionatit. Këtë herë, zikatlërit u mposhtën në transfertën e Udineses me rezultatin 3-1. Në fakt, ishin pikërisht nënkampionët e Italisë ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Nicolo Barella.

Që në minutën e 5-të, mesfushori realizoi nga goditja e dënimit. Për herë të fundit që Interit shënonte direkt nga një faull, kishte ndodhur në 12 shtator të vitit të kaluar, atëherë kur Dimarco tundi rrjetën ndaj Sampdorias.

Megjithatë, do të ishte pikërisht një lojtar i Interit ai që do rikthente barazpeshën. Milan Skriniar realizoi autogol në portën e tij, duke lënë të palëvizur edhe portierin Handanoviç. Që nga sezoni 2017/18, qendërmbrojtësi ka qenë i pafat, sepse ka shënuar 4 autogola, më shumë sesa çdo lojtar tjetër i Serie A përgjatë kësaj periudhe.

Më pas, kur gjithçka po i drejtohej fundit, vendasit e Udineses realizuan dy golat e radhës, me anë të Bijol dhe Arslan, të cilët i shkaktuan Interit humbjen e 3 këtë kampionat.

Duke nisur që nga sezoni 1994/95, kjo është vetëm hera e 4 që Interi pëson 3 humbje në 7 javët e para të kampionatit. Këto janë të dhëna, që e vendosin përpara përgjegjësisë trajnerin Simone Inzaghi, stoli i të cilit ka nisur të dridhet. Skuadra e teknikut italian klasifikohet e 7-ta në renditje me 12 pikë.

Më tej, Udinese po përjeton nisjen më të mirë të sezonit në 21 vitet e fundit. Me 16 pikë në 7 javë, bardhezinjtë janë duke përsëritur edicionin 2000/01, atëherë kur bënin pikërisht të njëjtën nisje. Ekipi i drejtuar nga Andrea Sotil renditet në vendin e 3-të të tabelës së klasifikimit në Serie A.