Cristiano Ronaldo sërish protagonist në Arabinë Saudite. Për herë të parë në historinë e klubit, Al Nassr ka shkuar në finalen e Kupës, pasi në gjysmëfinale ndaj Al Shorta, arriti të fitonte me rezultatin minimal 1-0, me golin e vetëm të takimit që u realizua pikërisht CR7. Në finale, Al Nassr, do të përballet me Al Hilal.
Në të 75-tën minutë, sulmuesi u tregua i saktë nga pika e bardhë, e më pas, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit. Edhe përpara se të shënonte, mundësitë për të realizuar të tjerë gola nuk munguan, por portieri i Al-Shorta, Ahmed Basil, dhuroi një performancë të përkryer. Në fund, 38 vjeçari u shpall edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Këtë fillim edicioni, portugezi po tregon një formë të përkryer, teksa në 4 ndeshjet e para, ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës në secilën prej tyre. Thënë këtë, CR7 është bërë tanimë golashënuesi më i mirë i Kupës së Arabisë.
Në këtë mënyrë, ish-lojtari i Real Madrid, tashmë është vetëm një fitore larg trofeut të tij të parë në Arabinë Saudite, përpara se të nisë kampionati, atje ku do të përpiqet që këtë herë, të shfronësojë skuadrën E Al Ittihad, pjesë e së cilës është bërë Karim Benzema.
Në edicionin e kaluar, Al Nassr nuk ia doli dot mbanë të triumfonte në kampionat, ndonëse gjysmën e dytë të rrugëtimit e kreu me CR7 në përbërje. Megjithatë, duke marrë parasysh përforcimet e rëndësishme në merkaton e verës, padyshim që Al Nassr ka krijuar pritshmëri ta larta për të triumfuar. Nëse do t’ia falë ose jo, kjo mbetet për t’u parë, sepse edhe kundërshtarët, po ashtu janë përforcuar ndjeshëm në merkato.