Tjetër futbollist shqiptar drejt zbarkimit në Turqi

Sport

Frederik Veseli mund të bëhet shqiptari i radhës, që zbarkon në Superligën turke, kampionat që staron këtë fundjavë dhe transmetohet ekskluzivisht në kanalet TRING SPORT. Sipas asaj që raportojnë mediat në Turqi, mbrojtësi kuqezi duket ka pranuar për t’u transferuar te Denizlispor, skuadër e ngjitur këtë vit në elitën e futbollit turk. Vetëm pak ditë më parë, Veseli e pati refuzuar ofertën e ardhur nga klubi turk, duke mos e cilësuar një destinacion të kënaqshëm për cilësitë e tij dhe duke mos dashur të largohet nga Italia, pavarësisht se Empoli do të luajë sezonin e ardhshëm në Serinë B. Mbrojtësi i djathtë kishte refuzuar ofertën e parë edhe pse ekonomikisht do të përfitonte më shumë sesa në skuadrën toskane.


Mirëpo duket se gjërat kanë ndryshuar në ditët e fundit, pas negociatave të reja mes palëve. Ka qenë trajneri i Denizlisporit, Jucel Ildiz, i cili pranoi në mediave se ishte arritur akordi në çdo pikë me futbollistin shqiptar dhe pritet që ai të jetë përforcimi më i ri në prapavijën e skuadrës së tij. Gjithashtu, edhe presidenti i klubit turk Ali Çetin deklaroi se Veseli do të mbërrinte në ditët në vijim, për të filluar aventurën e tij të re në kampionatin që duhet thënë se ka mbledhur disa lojtarë me origjinë shqiptare. Te Fenerbahce luan Vedat Muriqi, kurse me Trabzonsporin është transferuar Donis Avdiaj. Ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ndonjë lëvizje tjetër e lojtarëve kuqezi që kanë mbetur ende në kërkim të një sistemimi për sezonin e ardhshëm.