Real Madrid fiton edhe në javën e 10-të të La Ligas. Në transfertën ndaj Elches, të besuarit e Carlo Ançelottit fituan me rezultatin e pastër 3-0. Sfida u hap që në minutën e 11-të, kur e majta e Fede Valverdes nga jashtë zonës, përfundoi në fundin e rrjetës.
Uruguajani po përjeton momentin më të mirë të karrierës. Në 15 ndeshje të luajtura deri në këtë fazë të sezonit me ekipin madrilen në të gjitha garat, Valverde ka shënuar 6 gola, aq sa kishte realizuar në 148 paraqitjet e tij të mëparshme.
Jo vetëm kaq. Mesfushori ka shënuar 3 gola nga distanca deri më tani dhe së bashku me James Maddison të Leiçster City, janë dy lojtarët e vetëm në 5 ligat kryesore të kontinentit që e gëzojnë një statistikë të tillë.
Më tej, në të 75-tën Karim Benzema, i asistuar nga Rodrygo dyfishoi rezultatin e ndeshjes, ndërsa në të 89-tën, Rodrygo do të jepte një tjetër assist, por këtë herë për Marco Asension, i cili shënoi edhe të 3-tin për Realin.
Rodrygo është lojtari i parë i lindur në vitin 2001, ose më vonë, i cili asiston dy herë në një ndeshje të La Ligas për Real Madrid. Sulmuesi ka dhënë 4 pasime për gol këtë sezon në kampionat, po aq sa Mikel Merino i Real Sociedad. Braziliani dhe spanjolli janë dy lojtarët me më tepër asistime në La Liga në këto 10 javë të para.
Suksesi i arritur në fushën e Elches, ishte fitorja e 6-ta radhazi për Real Madrid në këtë fillim sezoni në trasfertë. Kjo është një statistikë që po ndodh vetëm për të dytën herë në historinë e Los Blancos. Për herë të parë ka ndodhur në edicionin 1991/92.
Me 9 fitore dhe 1 barazim, Reali udhëheq kreun e La Ligas me 28 pikë të grumbulluara, ndërsa në javën e ardhshme do luajë përballë Sevillas në “Santiago Bernabeu”.