Dëmtohet sërish Paul Pogba. Mesfushori ka pësuar një lëndim muskulor në kofshë dhe si pasojë nuk do jetë I gatshëm për 3 javët e ardhshme për skuadrën e Juventusit. Mesfushori sapo ishte kthyer nga një dëmtim I gjatë, ndërsa u kthye vetëm në derbi ndaj Torinos, në atë që ishte njëkohësisht edhe ndeshja e tij e parë sezonale.
Mirëpo, atëherë kur pritej që francezi të kthehet në një pikë të fortë për skuadrën bardhezi, ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Trajneri Massimiliano Allegri ka konfirmuar se Pogba është dëmtuar gjatë kohës kur ishte duke ekzekutuar disa goditje dënimi në stërvitje.
29 vjeçari ka një kontratë të vlefshme me Juventusin deri në verën e 2026-tës, mirëpo ky dëmtim I radhës, mund të ketë ngritur shumë dyshime në radhët e drejtuesve të klubit. Kjo gjendje fizike e lojtarit, nuk garanton shpresë për të ardhmen, sepse Pogba u transferua për t’u bërë një nga gurët e themelit të skuadrës.
Përveç këtij fakti, kampioni I botës paguhet rreth 10 mln euro në sezon, një shifër shumë e lartë kjo për klubin, duke marrë parasysh që lojtari nuk po jep kontribut në fushën e lojës.