Për herë të parë në më tepër se një dekadë në Gjermani, titulli do të vendoset në javën e fundit të kampionatit. Dhe për herë të parë që nga viti 2012-të, Dortmundi ka mundësi që të fitojë trofeun më të rëndësishëm të futbollit gjerman.
Për ta bërë këtë, verdhezinjtë duhet të triumfojnë ndaj Mainz në “Signal Iduna Park”. Mirëpo, trajneri Edin Terziç mund të mos ketë gati një prej yjeve të skuadrës së tij, Jude Bellingham. Fantazisti anglez, vuan nga një lëndim në gju dhe nuk mundi të ishte në dispozicion të ekipit as në sfidën e javës së parafundit, sikurse ishte transferta e Augsburgut, të fituar 3-0 nga Dortmundi.
Mediat gjermane shkruajnë se Bellingham është i kushtëzuar nga një dhimbje në gjurin e djathtë. Ai ka provuar të rikthehet në stërvitje, por një gjë e tillë ka zgjatur vetëm 10 minuta, pasi lojtari ka nisur të ndihet sërish i shqetësuar.
Nuk dihet nëse 20 vjeçari do të jetë gati për të luajtur ose jo në ndeshjen e fundit, por mundësitë janë që edhe këtë sfidë, ai të shohë duelin nga tribuna, me shpresën se në përfundim, do t’i bashkohet festës së madhe të titullit kampion.
E në fakt, nuk mund të kishte mbyllje më të mirë, sepse pas 3 sezoneve të kaluara me Borussia Dortmundin, Bellingham pritet të largohet këtë verë. Ndonëse zyrtare nuk ka asgjë, në media prej ditësh është thënë se fantazisti ka arritur një marrëveshje me Real Madrid.