Titulli kampion nuk mjafton, Luçiano Spalletti drejt largimit nga Napoli

Sport

Pavarësisht historisë që bëri në krye të Napolit, duke rikthyer titullin kampion në shtëpi, pas një mungese prej 3 dekadash, kjo nuk mjafton që Luçiano Spalletti të vazhdojë në krye të skuadrës së kaltër. 64 vjeçarit I përfundon kontrata në fund të qershorit dhe mundësitë janë shumë të mëdha që ai dhe Napoli I tij, të ndajnë rrugët pasi të përfundojë ky edicion futbollistik.

Për këtë çështje vazhdon të flitet prej një kohe të gjatë, çka ka sjellë edhe ngritjen e disa dyshimeve për një largim të mundshëm të italianit nga Diego Armando Maradona. Dhe në fakt, me të drejtë. Spalletti nuk ka një marrëdhënie të mirë me presidentin e klubit, Aurelio De Laurentis. Marrëdhënie që është thyer në edicionin e kaluar dhe ka mbetur e tillë. Që në këtë mes, ka diçka që nuk shkon, kjo është dalluar nga deklaratat përkatëse të të dy personazheve në fjalë, të cilët, kanë lënë të kuptohet, se largimi është mëse I mundshëm, sesa qëndrimi.

Krisja e raporteve mes presidentit dhe trajnerit, ka nisur më tepër se një vit më parë, kur për një moment, Napoli rrezikoi pjesëmarrjen në Champions League dhe situata shkoi deri aty, saqë De Laurentis po mendonte ta shkarkonte trajnerin në fjalë. Mirëpo, seria prej disa fitoresh radhazi, riktheu stabilitetin në skuadër dhe objektivi Champions u arrit.

Për këtë arsye, Spalletti qëndroi, duke bërë që në edicionin actual të arrinte atë që pak kush mund ta kishte imagjinuar. Ai bëri realitet fitimin e titullit kampion, duke ndërtuar një ekip të qëndrueshëm në prapavijë dhe me lojë zbavitëse në manovrën sulmuese.

Megjithatë, kjo sërish nuk ka mjaftuar që Spalletti ta ndryshojë mendjen e De Laurentis. Në kushte si këto, mediat përtej detit raportojnë se Spalletti do të largohet nga Napoli, ndërsa presidenti De Laurentis ka nisur të kërkojë një tjetër trajner, për ta emëruar në krye të skuadrës.