Largimi i Neymar nga PSG tashmë është kthyer në një detyrim për drejtuesit e kampionëve të Francës. Në ndeshjen e parë të ‘Ligue 1’ kundër Nimes, pjesa më e madhe e tifozëve kërkonte largimin e brazilianit dhe e kishin bërë të qartë këtë gje edhe me banderola të shumta, teksa nuk munguan edhe thirrjet ofenduese në drejtim të lojtarit. Neymar u la jashtë skuadrës për sfidën kundër Nimes, të cilën të besuarit e Thomas Tuchel e fituan pa problem me rezultatin 3-0. Familja e braziliani reagoi për këto thirrje të tifozerisë kryeqytetase dhe motra e Neymar, Rafaella ka qenë nga ato që ka reaguar më ashpër, pasi nuk ka kursyer as ofendimet në drejtim të tifozërisë së PSG. Duke shfrytëzuar rrjetet sociale, ajo madje ka deklaruar se pa Neymar në skuadër, PSG nuk do të fitojë asgjë.
Por nuk ka vonuar reagimi i tifozëve, të cilët tashmë shohin Kylian Mbappe si lider të skuadrës. Në fillim të verës, Mbappe kërkonte të kishte më shumë përgjegjësi në skuadër dhe tashmë dëshira po i plotësohet, pasi edhe presidenti Al-Khelaifi ka vendosur të largojë Neymar dhe të përqëndrojë projektin e skuadrës tek Mbappe. 20-vjeçari kampion bote, me paraqitjet e tij duket se ‘ka nxjerrë jashtë loje’ Neymarin. Tifozët e PSG kanë vënë theksin edhe tek fakti se Neymar nuk ka qenë asnjëherë i gatshëm për skuadrën në pjesën më të rëndësishme të sezonit, duke kujtuar lëndimet e brazilianit përpara sfidave të ‘Champions League’, që mbetet objektivi kryesor i kampionëve në fuqi të Francës.